Tiranë, 20 maj 2014 – Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer gjatë takimit me kryeministrin, Edi Rama u shpreh se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. Fischer theksoi se Shqipëria ka arritur shumë në rrugën e saj të integrimit, ka përmbushur kriteret dhe se e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama i shprehu Presidentit Fischer mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin e kahershëm që vendit i tij i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë.
Duke vlerësuar si të veçanta marrëdhënien me Austrinë, gjatë takimit Rama- Fischer u vlerësua se kontaktet e shpeshta mes dy vendeve kanë shërbyer për të identifikuar hapësira të reja jo vetëm për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, por edhe për të ridimensionuar fushat e mbështetjes dhe të asistencës austriake, me theks prioritar, modernizimin e sistemit arsimor dhe atë shëndetësor.
Fischer takohet me kryeparlamentarin Meta
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Presidentin e Republikës së Austrisë Heinz Fischer, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Austrisë, miqësinë tradicionale mes dy popujve dhe bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat.
Kryetari i Kuvendit, vlerësoi se kjo vizitë e rëndësishme e Presidentit Fischer në Tiranë konfirmon vëmendjen e vazhdueshme që Austria i kushton Shqipërisë, duke i shërbyer thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimit të perspektivës evropiane të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Meta shprehu vlerësimin e veçantë për mbështetjen e pakursyer të Austrisë në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.
Presidenti i Austrisë Heinz Fischer, pasi vlerësoi zhvillimet dhe progresin e Shqipërisë në vite u shpreh se Austria nuk ka asnjë dyshim në përkrahjen që ajo i ofron integrimit evropian të Shqipërisë duke theksuar se Shqipëria mund të mbështetet tek Austria si në planin evropian, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti i Austrisë Fischer ndanë bindjen se thellimi i marrëdhënieve ndërparlamentare përmes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, do t’i japë një shtysë të re intensifikimit të shkëmbimeve mes dy vendeve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





