Durrës, 20 maj 2014 – Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për kapitenin ukrainas të anijes “Era-1”, e cila transportonte 48 ton cigare kontrabandë. I arrestuar, dy ditë më parë, kapiteni Volodomir Demakov doli sot para trupit gjykues.

Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtjes i 63-vjeçarit kërkoi lirimin e klientit të tij, me pretendimin se kapiteni nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. 

Vetë kapiteni Demakov deklaroi përpara trupës gjyqësore se nuk ka kryer asnjë krim ndaj shtetit shqiptar. “Më lejoni të vijoj rrugën për ku isha nisur, ndalova në Vlorë për shkak të motit. Nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjore.”- deklaroi 63-vjeçari. 

48 ton cigare, me vlerë rreth 10 milionë dollarë, u sekuestruan nga dogana e Durrësit.  Ngarkesa me cigare ishte nisur nga porti verior i Qipros dhe kishte destinacion Malin e Zi. Anija transportuese “Era 1”, me pronar ukrainas nga Krimeja dhe 7 anëtarë të ekuipazhit, po nga i njëjti vend u bllokua nga policia kufitare deri në përfundim të hetimeve të nisura nga autoritetet shqiptare. 

Anija tregtare me flamur të Tanzanisë u ndalua nga Anti-Kontrabanda në Portin e Vlorës mbrëmjen e së premtes. Anija ndodhej prej datës 14 në Portin e Vlorës, pasi kishte kërkuar ankorim për shkak të kushteve të këqija të motit. Por me përmirësimin e motit anija me flamurin e Tanzanisë ka tentuar të largohet nga porti i Vlorës pa iu nënshtruar lejes përkatëse, sipas procedurës për të lundruar në ujërat shqiptare. Në orët e mbrëmjes së të premtes, së javës së kaluar anija u ankorua në Portin e Durrësit, ku iu nënshtrua kontrolleve të nevojshme.