DURRËS, 20 maj 2014 –  Durrësi, me infrastruktura moderne turistike, falë dhe afërsisë me aeroportin e Rinasit, ka privilegj edhe “përmasën” e turizmit shkencor, sikurse po ndodh dendur, deri me një konferencën ndërkombëtare 4-ditore në Plazh.

Në hotel Adriatik, në fillimjavë, më 19 maj 2014, filloi punimet Konferenca e 8-të Ndërkombëtare Shkencore, e organizuar nga Shoqata për Bimët Aromatike dhe Mjekësore e Vendeve të Evropës Juglindore (AMAPSEEC – Association for Medicinal and Aromatic Plants of Southeast European Countries), Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Veprimtaria do të vazhdojë deri më 22 maj 2014.

AMAPSEEC është rrjeti më i rëndësishëm në Evropën Juglindore për Bimët Aromatike dhe Mjekësore; përfshin 16 vende të rajonit, dhe përbëhet nga më shumë se 500 anëtarë.

Temat kryesore në konferencë lidhur me bimët mjekësore dhe aromatike janë biodiversiteti, menaxhimi dhe konservimi; bioteknologjia dhe biologjia molekulare; kultivimi, mbarështimi dhe përpunimi industrial; fitokimia; farmakognozia; etnofarmakologjia, farmakologjia dhe toksikologjia; kontrolli dhe menaxhimi i cilësisë.

Ditën e parë mori pjesë dhe përshëndeti në emër të qeverisë shqiptare, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Linditë Nikolla.

Edhe nga pikëpamja ekonomike, Durrësi, ashtu si para viteve 1990, edhe sot ka industri përpunimi të bimëve mjekësore dhe aromatike; ferma të kultivimit të tyre, magazina për eksport me transport detar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/