Tiranë, 20 maj 2014 – Komisioni parlamentar i Ligjeve rrëzoi sot me votat e shumicës dekretin e Presidentit për kthimin në Kuvend të disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”. 

Vendimi për rrëzimin e dekretit të Presidentit, pritet të votohet në Kuvend, ndërsa mësohet se opozita braktisi komisionin e ligjeve dhe nuk votoi për rrëzimin e këtij dekreti.

Në relacionin shoqërues të dekretit, i publikuar më 16 maj, Presidenti shpjegonte arsyet e kthimit të këtij ligji, i cili sipas Kreut të Shtetit cënon kompetencat e Presidentit dhe balancimin e pushteteve.

Mbledhja u shoqërua me debate, pasi sipas mazhorancës Presidenti nuk ka kompetenca jashtë funksionit kushtetues.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/