Rusi, 20 maj 2014 – Një javë para zgjedhjeve të planifikuara në Ukrainë, Rusia bën përpjekje që të mos e tensionojë edhe më tej konfliktin. Pas kritikave ndërkombëtare për përqendrimin e trupave ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin shpalli sërish se do t'i tërheqë trupat ruse. Manovrat e pranverës në sheshet e manovrave të rajoneve kufitare Brjansk, Rostov buzë Donit dhe Belgorod kanë përfunduar, bëri të ditur ai. Njëkohësisht ai bëri thirrje për dialog: dhuna duhet të marrë fund, në mënyrë që kriza të mund të zgjidhet në mënyrë paqësore. NATO-ja, sipas sekretarit të përgjithshëm të saj, Anders Fogh Rasmussen nuk ka "kurrfarë dëshmish" për një tërheqje të trupave ruse.
Megjithë zgjedhjet e planifikuara dhe pavarësisht nga të gjitha përpjekjet për ndërmjetësim, forcat proruse në Ukrainën Lindore vazhdojnë ta avancojnë shkëputjen nga Kievi. Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale nuk do të njihen nga "Republikat popullore" të Donetskut dhe Luhanskut, tha "guvernatori" i vetëemëruar, Pavel Gubarev në televizionin shtetëror rus. Me qeverinë ukrainase, e cila vazhdon "operacionin e saj antiterror" nuk ka bazë për negociata. Objektivi është themelimi i një shteti me emrin "Novorosija" (Rusia e re), tha Gubarevi. Që të nisë dialogu duhet të japë dorëheqjen qeveria e mbështetur nga SHBA dhe BE.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





