Itali, 19 maj 2014 – Dy vëllezër, Haxhi dhe Erion Hoxhaj, përkatësisht 32 dhe 26 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët, pasi kanë tentuar të vrasin një shtetas moldav, 36 vjeç.
Mësohet se dy vëllezërit e kanë qëlluar moldavin me shkelma dhe grushta, ndërkohë që kanë përdorur edhe një çelëz anglez për ta lënduar më shumë. Moldavi është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit të Chieri-t dhe sipas mjekëve ka lëndime të shumta në kokë, ku është goditur me mjetin e fortë.
Ndërkohë, njëri nga vëllezërit Hoxhaj është arrestuar nga një polic jashtë shërbimit, ndërsa tjetrit i janë vënë prangat nga karabinierët që u morën me zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Ende nuk janë të qarta shkaqet që shtynë dy shqiptarët të ndërmerrnin këtë akt ndaj shtetasit moldav.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





