DURRËS, 19 maj 2014 – Banorët, bizneset, institucionet publike në pjesën më të madhe të territorit të bashkisë së Durrësit janë penalizuar për 7 orë më 19 maj 2014 për shkak të një remonti të paparalajmëruar në linjën 110 kilovolt në nënstacionin e Rrashbullit.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sha), njësia operative Tiranë, kryen punime remonti në Durrës për 7 orë dhe nuk njofton paraprakisht as popullsinë as kryebashkiakun, as institucionin e Prefektit të Qarkut, sikurse i komunikoi me telefon “Dyrrah”-ut vetë z. Rolant Xhelilaj.
E keqja është se kemi të bëjmë me tri etnitete shtetërore: nga njëra anë kryetarin e bashkisë, “president” i qytetit dhe Prefektin, “Kryeministri” i qarkut, nga ana tjetër shoqërinë publike Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sha), ku i treti shpërfill me arrogancë të parët.
Madje, kryetarit të bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, duhej t’i merrej leja me shkrim për t’u hequr për 7 orë dritat zgjedhësve dhe biznesit (është “gallatë” se më 19 maj 2014 në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak po diskutonin bashkërisht administrata e Durrësit me atë të qytetit italian të Mola di Bari).
Kështu funksionon shteti serioz i së drejtës.
Nga ana tjetër, OST sha-ja ka detyrim ligjor të njoftojë publikun për çdo ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Por, që nga 30 prilli 2014 në sajtin e kësaj shoqërie publike / shtetërore me administrator dr. Engjëll Zeqo nuk gjen njoftime.
Shumë mirë që dr. Zeqoja, për shembull, më 30 prill 2014 bën këtë njoftim: “Në vijim të punimeve të remontit të planifikuar të linjës L110-32 Korçë-Ersekë… më datë 30.04.2014… nga ora 08:30 deri 14:00 do të mbeten pa tension N/Stacioni 110/35/10 kV Ersekë dhe 35/10 kV Mollas, si pasojë gjatë këtyre orëve do të mbeten pa energji bashkitë e Ersekës dhe Leskovikut, komunat e Qendër-Ersekës; Mollasit; Novoselës dhe Barmashit” (shih faksimilen e njoftimit).
Por dr. Zeqoja nuk pyet për Durrësin, ku jepet 30 për qind e të ardhurave të buxhetit të shtetit (dogana kryesore e vendit, kështu më 19 maj 2014 në port prisnin të përpunoheshin 9 anije me mbi 57 270 tonë mallra të ndryshme), ku ka një sektor turistik gjigant; një popullsi 100 mijë banorë që duhen furnizuar me ujë të pijshëm etj.
Do t’i rekomandonim Prefektit të Qarkut, z. Rolant Xhelilaj të kërkonte ndëshkimin ligjor për dr. Zeqot, jo thjesht pse nuk përfillën atë, por se anashkaluan qytetin e Durrësit.
Mbi, të gjitha, sikurse mësoi “Dyrrah”-u, edhe më 20 dhe 21 maj 2014 do të vazhdojnë ndërprerjet e energjisë në zonat periferike të qytetit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





