Tiranë, 19 maj 2014 – Sajmir Bajrami, personi i arrestuar si bashkëpunëtor i pilotit italian, Giorgo Riformato rezulton, se ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë gjatë këtij viti, ndërsa piloti italian, nuk figuron i regjistruar në asnjë vend. Sipas sistemit TIMS dhe burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, rezulton, se Bajrami ka hyrë në Shqipëri, tri herë, vetëm gjatë këtij viti, më datën 11 e 14 prill dhe me datën 7 maj. Të gjitha hyrjet, sipas sistemit, janë bërë nga aeroporti i Ljubljanës në drejtim të Rinasit.
Edhe në hyrjen e fundit, një ditë para se vendin tonë ta shkelte edhe piloti italian, Bajrami e ka bërë përmes të njëjtës linjë, nga Sllovenia.
Nga ana tjetër, pas verifikimit të sistemit TIMS, burimet e ABC Neës, bëjnë me dije se piloti italian Giorgo Riformato, nuk është i regjistruar në ndonje sistem apo data baze të policisë në Shqipëri. Një gjë e tillë është justifikuar me faktin, se pilotët nuk regjistrohen. Por, burimet pranë Autoritetit të Aviacionit Civil thonë, se referuar manualit të ICTS dhe rregullores së policisë, vetëm pilotët e linjave të rregullta zyrtare, nuk regjistrohen, ndërsa ata të avionëve Charter dhe sportivë e kanë të detyruar kontrollin fizik dhe regjistrimin në sistem.
Përveç kësaj, të njëjtat burime, sqarojnë se piloti duhet të regjistrohet edhe nga sektori i sigurisë së aeroportit, në mënyrë manuale, në një regjistër, për të provuar, identitetin e personit, që ka hyrë në territorin e brendshëm të aeroportit. Edhe në këto regjistra, sipas prokurorisë, emri i tij nuk figuron. Kjo ka bërë, që ekspertët të zgjerojnë hetimet, pasi pilotit italian i është bërë kontrolli fizik, por nuk rezulton i regjistruar.
Në pamjet filmike të kontrollit fizik të Riformatos, të shpërndara nga Ministria e Brendshme, duket qartë, se piloti italian kontrollohet fizikisht, por ajo që bie në sy, është fakti, se ai kalon nga dera e personelit. Edhe ky kalim, sipas specialistëve, është i lejuar vetëm për personelin e aeroportit. Hetuesit thanë, se është kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Alb-kontrolli, t’u vihen në dispozicion të gjitha praktikat dhe hyrjet në Shqipëri përgjatë këtij viti të avionëve Charter dhe sportivë. Kjo bëhet, për të verifikuar, nëse kompania, që drejtohej nga Riformato, ka bërë hyrë edhe herë të tjera në territorin shqiptar.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare është provuar, se Sajmir Bajrami ka ndryshuar mbiemrin vite më parë, pas vuajtjes se një dënimi prej 6 vitesh burg në Itali, i akuzuar, për trafik të lëndëve narkotike. Të gjithë familjarët e tij ,figurojnë në sistem me mbiemrin Bega, ndërsa vetëm Sajmiri e ka ndryshuar në Bajrami.
Nga ana tjetër, prokurorët kanë kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonike hyrëse dhe dalëse të telefonave, që ka pasur në përdorim Bajrami, si dhe është dërguar për ekspertizë kompjuteri i pilotit italian Xhorxho Riformato.
/abcnews/





