Durrës, 19 maj 2014 – “Unë jam polic dhe luftoj mafian në Ballkan. Kam edhe dokumentet përkatëse”,- kështu u është drejtuar një 44 vjeçar dy efektivëve rrugorë, të cilët e kanë ndaluar në Durrës. Gjatë shoqërimit të tij në komisariat atij iu bllokuan 3 dokumente; njëri në gjuhët Shqip-Anglisht dhe tjetri në gjuhën Serbe të cilët dyshohen se janë të falsifikuara me mbishkrimet "Antimafia" dhe" Antiterror".Blutë e Durrësit bëjnë të ditur se dyshohet që Cakra i përdorte ato jashtë Shqipërisë, për të udhëtuar lirshëm.
44-vjeçari nga Tropoja, Petrit Cakrraj është arrestuar në flagrancë nga efektivët e policisë së Durrësit, pasi ka tentuar të korruptojë policët e rrugores.
Çakrraj është ndaluar, pasi po drejtonte një automjet pa dëshmi drejtimi dhe pa asnjë dokument shoqërues për makinën.
Në momentet kur efektivët e rendit, duke zbatuar Kodin Rrugor, kanë tentuar ta ndalojnë 44 vjeçarin tropojan, ky i fundit ka tentuar t’i korruptojë ata duke rënduar në këtë mënyrë edhe më shumë gjendjen.
Por krahas akuzave për ”Drejtim mjeti në gjendje te dehur apo pa deshmi” dhe asaj të “Korrupsionit aktiv”, Çakrraj akuzohet edhe për përdorimin e dokumentave të falsifikuara.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





