Meksikë, 19 maj 2014– Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, thuhet t’i ketë dhënë një shumë të majme parash aktorit Kevin Spacey, në mënyrë që të fotografohej me të.

Edhe pse ishte thënë se takimi mes dy protagonistëve ishte i rastësishëm, duket se e gjithë ngjarja ka qenë e organizuar. Pena e ka shfrytëzuar aktorin e famshëm për ta promovuar veten, ndërsa Spacey-t i është paguar gjithçka.

Sipas Forbes, aktori 54-vjeçar ka marrë plot tetë milionë dollarë për udhëtimin në Cancun dhe fotografimin me presidentin 47-vjeçar.

“Një nga këta presidentë është real. Me presidentin Enrique Pena Nieto në Meksikë, mbrëmjen e kaluar”, pati shkruar Spacey, kur e publikoi fotografinë në Twitter.

Forbes ka marrë një deklaratë nga një zyrtar anonim i Ministrisë së Turizmit të Meksikës, i cili ka treguar për honorarin që i është paguar aktorit. Ky i fundit ka thënë se është tepruar me shifrën, por nuk ka mohuar se ka marrë para.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/