Durrës, 18 maj 2014 – Në datë 17 maj, Ministri Veliaj ishte një nga VIP-at shqiptarë që së bashku me diplomatët e huaj, që morën pjesë në aktivitetet me temë “Parada e krenarisë gej”.

Sot, ministri Veliaj ishte ministri i tretë (pas Saimir Tahirit dhe Shkëlqim Canit), që vizituan Durrësin në këtë fundjavë. Ai mori pjesë në aktivitetin për Ditën e Familjes. Në këtë aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, myslimane sunite, shkolla Hanefi, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë dhe Vëllazëria ungjillore. Në aktivitet mungonin përfaqësuesit e komunitetit Bektashi, mungonin myslimanët vehabistë si edhe sekte të tilla të kristianizmit si Pentakostalët, Mormonët dhe Dëshmitarët e Jehovait.

Nga korespondenti i Agjencisë së Lajmeve “Dyrrah”, ministri Veliaj u pyet për pjesëmarrjen e tij të djeshme në aktivitetin LGBT, në Tiranë dhe të sotmen te Dita e familjes. Përgjigja e ministrit në prezencë edhe të Papa Petros ishte: “Edhe ata dje shqiptarë ishin!”

Bashkia Durrës, që kishte një kontribut të veçantë në mbarëvajtjen e aktivitetit të sotëm, përfaqësohej nga Kryebashkiaku Vangjush Dako në rolin e “të zotit të shtëpisë”. Ai në emër të qytetarëve durrsakë u drejtoi të pranishmëve  në aktivitet një përshëndetje të ngrohtë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/