19 maj 2014 – Mërgim Mavraj shpall divorcin me Greuther Furth. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, njoftoi nëpërmjet adresës së tij në Facebook, vetëm pak orë para sfidës së kthimit me Hamburgun në fazën Play-Off, se bashkëpunimi me Furth-in i erdhi fundi. “Ndeshja e fundit me këtë fanellë. Pra, një takim për të mos e harruar kurrë. E lus Allahun për mbështetje.”- shkruante 27-vjeçari në rrjetin social, duke konfirmuar se ardhmja e tij do të ishte larg Greuther Furth, edhe nëse skuadra e tij do të ngjitej në Bundesligë, gjë që nuk ndodhi.
Për Mavrajn po këmbëngul prej kohësh skuadra e Koln-it, që sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesligën e parë, ndërkohë që interesim serioz ka patur edhe nga Seria A, më konkretisht nga Lazio, e cila iu afrua shumë futbollistit kuqezi edhe verën e shkuar. Gjithsesi, deri në zgjedhjen përfundimtare të Mavrajt skuadra të tjera Europiane do të synojnë të sigurojnë shërbimet e tij, ku vendimtare do të jetë oferta financiare për 27-vjeçarin.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





