Durrës, 19 maj 2014 – Lëkundje të forta sizmike janë ndjerë në orët e para të mëngjesit të sotëm pothuajse në një pjesë të mirë të qyteteve kryesore të vendit. Tërmeti i parë, i cili është regjistruar në orën 02:59 minuta ka pasur intensitetin më të lartë, 5.2 ballë.

Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë 6 km në jug të Belshit, Elbasan, ndërkohë që është regjistruar në thellësinë 18 km.

Lëkundja e fortë është ndjerë në të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe megjithë orën e vonë të natës, shumë banorë janë zgjuar të alarmuar nga tërmeti i fuqishëm. Shumë prej tyre nuk kanë munguar ta komentojnë dukurinë natyrore në rrjetet sociale. Tërmeti është përjetuar me ankth sidomos tek banorët e pallateve shumëkatëshe.

Ndërkohë lëkundja e parë është pasuar edhe nga 6 lëkundje të tjera, me intensitet të ndryshëm. Lëkundja tjetër më e fuqishme pas të parës, është regjistruar rreth 17 minuta pas tërmetit 5.2 ballë, në orën 03.16.

Kjo lëkundje ka pasur manjitudë 4.1 ballë dhe epiqendër 11 km në jug të Cërrikut. Ndërkohë lëkundja e fundit e regjistruar deri tani ka qenë në orën 05.38, me manjitudë 3 ballë.

Fatmirësisht nuk është njoftuar për të lënduar, por vetëm për dëme materiale nga lëkundjet sizmike. Kështu, raportohet se në Lushnje është shembur një banesë, janë dëmtuar 20 të tjera, ndërsa në Cërrik janë dëmtuar 3 pallate si dhe 3 shkolla, 2 në Belsh dhe 1 në Bërzhitë të Tiranës. 13 banesa raportohet të jenë dëmtuar edhe në rrethin e Gramshit, ndërkohë që ka plasaritje në shkollën e mesme të komunës Lenie.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/