18 maj 2014 – Ora e Lazaratit po troket. Organet ligjzbatuese në Shqipëri, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, kanë përgatitur tashmë një plan për “pushtimin” e Lazaratit, i cili që nga zgjedhjet e 23 Qershorit, duket se ka humbur imunitetin politik. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një bashkëpunim midis Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ Shtetëror, misionit PAMECA, ICITAP dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, nisur nga përvoja e tentativës së fundit, ku lazaratasit zmbrapsën me armë policinë, plani aktual parashikon edhe angazhimin e elitës së ushtrisë, për të vendosur shtetin ligjor në Lazarat.

Sipas burimeve, për vendosjen e autoritetit të shtetit në Lazarat, do të mobilizohen komandot më të dalluara shqiptare, që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak dhe Bosnje. Ndonëse nuk dihet ende, për numrin e ushtarakëve që do të angazhohen në këtë aksion historik, burime pranë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, kanë konfirmuar vendimin për të hyrë në fshatin e drogës, ku do të asgjësohen të gjitha bimët narkotike.   

Policia rrit prezencën   

Javët e fundit, Policia e Shtetit, ka rritur prezencën në Lazarat. Tre drejtuesit më të lartë të policisë kanë vizituar këto ditë fshatin e drogës. Po ashtu, disa drejtues policie kanë luajtur futboll me lazaratasit në fshat. Këto lëvizje u interpretuan si dështim dhe poshtërim i policisë, por dy vizitat duket se kanë të bëjnë me planin për të ndërhyrë në Lazarat.    

Paralajmërimi i Didit   

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka paralajmëruar planin për të ndërhyrë në Lazarat. "Në këtë sfond Lazarati është i përmendur dhe i trajtuar; policia shqiptare është duke bërë plane, të cilat janë në zhvillim e sipër në zonën e Gjirokastrës dhe të tjera në Shqipëri. Këtë e tregojnë rezultatet e larta në bllokimin e lëndëve narkotike dhe në Lazarat po merren masa për të kufizuar, por më pas do shqyrtojmë për hapa të mëtejshëm”, tha ai.

/marrë me shkurtime nga gazeta “Sot”/