Tiranë, 18 maj 2014– Elisa Spiropali e kujton si dita me natën kohën para ndërrimit të pushteteve, tashmë që është në pozicionin e drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Ajo ka postuar një foto në profilin e saj në Facebook, të shoqëruar me diçiturën: “Për të gjithë ata që ishin me ne 4 vjet më parë, pranë sofrës së pangrënë (selfie, Maj)”.
Në foton, që ka ngjallur shumë polemika partiake, është edhe deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka dhe dy mikesha të tyre. Komenteve të shumta të militantëve të opozitës, Elisa nuk heziton t’u përgjigjet menjëherë.
Madje, njërit prej komentuesve që i quan politikanët “hajdutë”, ajo i drejtohet me fjalët: “Unë nuk mbroj të gjithë politikanët shqiptarë. Unë vura në faqen time një foto me mikeshat e mia për të kujtuar kohën kur para 4 vitesh ishim në një grevë urie. Ti komentove mbi foton me injorancë të spikatur duke i futur të gjithë në një thes. Ky mentalitet u jep mundësi politikanëve hajdutë dhe politikës së pafytyrë të vazhdojë të mbijetojë duke përdorur baltën që hedhin njerëz si ti, për të nxirë faqen e të tërëve e për të thënë në fund: ‘E shikoni, të gjithë njësoj jemi’ Tani ik e përdore teknologjinë në ndonjë faqe ku je i mirëpritur, se zonjat në këtë foto janë nder për politikën! Por tashmë këto ditë të lodhshme në opozitë janë thjesht një e shkuar për Oltën dhe Elisën, pasi stili i tyre i jetës ka ndryshuar kryekëput për mirë. Paparaci i “Panorama” i ka fotografuar në koncertin për violinë të Tedi Papavramit, ku Elisa binte në sy për look-un e kuruar dhe veshjet firmato.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





