Tiranë, 18 maj 2014 – Flamurtari fiton Kupën e 62-të të Shqipërisë me një gol të Abilaliaj që ka vendosur takimin. Triumfon pragmatizmi dhe qetësia e kuqezinjve të Ernest Gjokjës, që përkundrejt problemeve të fundit me largimet e dy titullarëve, portierit Mocka dhe mbrojtësit Erjon Dushku, ia ka dalë të superojë me sukses “artilerinë e rëndë” kuksiane.

Kjo e fundit zhvilloi volum të madh loje, krijoi edhe raste të volitshme për shënim, por vuajti në finalizim. Pier Boja dhe Cikalleshi nuk ishin në gjendje të kurorëzonin mundin dhe djersën e verilindorëve, që dështojnë në finalen e tyre të parë në histori në Kupën e Shqipërisë. Kësisoji, ata duhet t’i kënaqen kurorës së nënkampionit, që e gëzojnë për edicionin e dytë radhazi, pjesëmarrjes në Kupat e Europës përmes kampionatit, gjë të cilën vlonjatët e siguruan nga fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Dëshpërim i madh në radhët e kuksianëve, por natyrisht edhe të durrsakëve, që prisnin  ndonjë “dhuratë” nga kjo finale. Nëse fitonte skuadra e Starovës, atëherë në Europë do të shkonte edhe Teuta. Ka ndodhur krejt ndryshe, ka fituar Flamurtari dhe trofeu i dytë kombëtar për nga rëndësia shkon në Vlorë.

Kuqezinjtë e Gjokës dëshmuan pjekuri në një ndeshje të tillë të nxehtë psikologjikisht, cka dëshmon se janë mësuar me trofe. Ata janë shpallur kampionë të Shqipërisë në sezonin 1990-1991, ndërsa e kanë fituar Kupën e Shqipërisë katër here, në edicionet 1984-1985, 1987-1988, 2008-2009 dhe 2013-2014.

Kjo ndeshje mbylli përfundimisht sezonin futbollistik 2013-2014 ku Skënderbeu u shpall kampion dhe Flamurtari fitues i kupës ndërkohë që në Evropë shkojnë përvec ekipeve fitues të trofeve edhe Kukësi e Laçi.

Kështu ky sezon mbyllet pa sukses për Teutën, e cila e nisi mirë kampionatin duke e udhëhequr atë në fazën e parë dhe në janr ishte e dyta por më pas edhe pse një merkato të bujshme nuk ndodhi ajo që pritej dhe në fund futbollistët e ardhur gjatë merkatos së dimrit nuk rezultuan efikas gjë që solli rënien e Teutës në klasifikim dhe kështu durrsakët e mbyllin sezonin në vendin e katërt me pikë të barabarta me Laçin e vendit të tretë, por Laçi fiton Evropën për shkak të fitores në përballje direkte me Teutën ndërkohë që durrsakët kishin shpresën e fundit tek fitorja e Kukësit në kupë gjë që nuk erdhi dhe kështu durrsakët mbyllin sezonin pa asnjë arritjeduke u renditur të katërt.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/