DURRËS, 18 maj 2014 –  Durrësi përfshihet në strategjinë e Evropës për “Zhvillimin Blu”.

Para 4 ditësh, në Athinë u organizua takimi ministror i Bashkimit Evropian, me krerët e Mjedisit të BE-së dhe vendeve që lagen nga Mesdheu, ku ishte ftuar dhe Shqipëria.

Kontributi kryesor i këtij takimi ishte miratimi i një Deklarate, e cila angazhon palët për mbrojtjen e mjedisit detar dhe bregdetar të Mesdheut.
Ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi situatën ekzistuese dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për mbrojtjen e mjedisit, me një theks të veçantë në krijimin e kushteve për realizimin e “zhvillimit blu”.

Sipas strategjisë së Evropës për 2020, Bashkimi Evropian ka si qëllim krijimin e një ekonomie të zgjuar dhe të qëndrueshme.

Për këtë arsye “Zhvillimi blu” përpiqet të zhvillojë përmasat detare të strategjisë së Evropës të vitit 2020.

Por me termin “Zhvillim blu” nuk nënkuptohet vetëm ekonomia e qëndrueshme, por edhe rritja e rëndësishme e punësimit në zonën detare dhe bregdetare.

Nëse Shqipëria fiton statusin e vendit kandidat në qershor, priten zhvillime të reja, sidomos për akordimin e fondeve të Brukselit për Durrësin, thanë për “Dyrrah”-un burime nga Ministria e Mjedisit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/