Itali, 18 maj 2014 – Në qytezën e Busto Arsicios (Busto Arsizio), në provincën e Varezes, është zbuluar një ngjarje e rëndë. Një emigrante shqiptare, 21 vjeçare në 25 prill lindi fëmijën e dytë, ndërsa ishte në muajin e shtatë të barrës. Lehona shqiptare u deklaroi karabinierëve, që fëmija kishte lindur e vdekur. Faktikisht nga autopsia rezultoi, që bebja, e seksit femër, kishte lindur e gjallë dhe kishte vdekur si rezultat i mbytjes në ujë dhe i plagëve në kokë. Mjekët janë të sigurtë, që shqiptarja ka pirë një ilaç, që i ka nxitur artificialisht shtërzimet, duke provokuar lindjen e parakohshme të bebes.
Pasi u mor mendimi profesional i mjekëve, karabinierët arrestuan nënën e re duke e akuzuar për vrasje me dashje të fëmijës. Shqiptarja aktualisht gjendet në seksionin e femrave të burgut të qytetit të Moncës (Monza).
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” e ka pasqyruar këtë lindje problematike në datë 26 prill, por në atë kohë mediat italiane e raportuan rastin si një lindje që kishte ndodhur, ndërsa nëna e re nuk e dinte që ishte shtatzënë. Në atë kohë u raportua se fëmija kishte humbur jetën rrugës për në spital.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





