Itali, 18 maj 2014 – Policia italiane pas një pune mjaft profesionale investigative arriti të zbulojë një bazë për magazinimin në sasi të mëdha të drogës. Në një garazh në rrugën “Via Stokolma”, të komunës së Fiumicinos arritën të sekuestojnë mbi 9 kuintal kanabis. Droga ishte e ambalazhuar në pako me madhësi të ndryshme, të cilat ishin futur në çanta të mëdha.
Policët arrestuan dy shtetas italianë, I.A. 35 vjeç dhe C.M. 37 vjeç. Kontakti i tyre shqiptar arriti t’i shpëtojë prangave të bluve italianë. Kjo sasi droge ishte në pritje për t’u dorëzuar tek shpërndarësit e vegjël, të cilët marrin sasi prej rreth 10-15 kilogram kanabis në prag të sezonit turistik.
Kësaj rradhe, italianët besojnë se droga nuk ka mbërritur në Itali me skafe apo e fshehur në fundet e dyfishta të kamionëve e automjeteve, por me rrugë ajrore. Blutë italianë janë të revoltuar sepse avionët e klasit ultra të lehtë të përdorur për të kaluar Adriatikun ngarkuar me “rigon” janë blerë po në Itali. Për këta dy avionë është bërë madje edhe rimbursimi i IVA-s (TVSH-së) nga dogana italiane dalëse.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





