Tiranë, 18 maj 2014 – Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për emërimin e personave me precedent kriminalë në poste të rëndësishme të administratës. Deputeti Arben Ristani denoncoi sot emërimin e një personi të arrestuar për trafik droge, në postin e Drejtorit Rajonal të Transportit të Sarandës.
Sipas Ristanit, “Klemend Balili është arrestuar ne korrikun e vitit 2006, me 750 kilogramë kanabis”
Por pas akuzave të PD-së, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka publikuar dëshminë e penalitetit të drejtorit Rajonal të Shërbimit të Transportit Rrugor Sarandë, në të cilën Klemend Balili rezulton i padënuar.
“Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), pasi dëgjoi deklaratën e Deputetit Arben Ristani, sqaron opinionin publik se:
1. Zoti Klemend Balili kryen detyrën e Drejtorit Rajonal te Shërbimit të Transportit Rrugor Sarandë që prej muajit Tetor 2013.
2. Në dosjen e tij në zyrën e personelit, ekziston Dëshmia e Penalitetit me numër 4 datë 16.10.2013 lëshuar nga Ministria e Drejtësisë.
3. Sipas kësaj dëshmie Zoti Balili rezulton i PA DËNUAR. Dëshmia e Penalitetit është dokumenti ekskluziv që sqaron gjendjen gjyqësore të çdo shtetasi të Republikës.
4. DPSHTRR shpreh keqardhjen për insinuatat që hidhen në dëm të punonjësve të saj.”,- thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Deklarata e deputetit të PD-së, Arben Ristani
Emërimi në poste kyçe të personave me precedent të rrezikshëm kriminalë, është një nga arsyet pse trafiku i drogës ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë.
Edi Rama ka treguar me të vërtetë vendosmëri në përfshirjen në administratë të këtyre personazheve, që shpesh kanë bërë bujën e kronikës së zezë në vend.
Klemend Balili është arrestuar ne korrikun e vitit 2006, me 750 kilogramë kanabis.
Aksion i suksesshëm i policisë në atë kohë, pasi i arrestuari dyshohej se drejtonte një klan kriminal në Sarandë e përreth.
Sot, Edi Rama, njeriun e 750 kilogramëve kanabis, e ka bërë Drejtor të Drejtorisë Rajonale të Transportit në rrethin e Sarandës.
Ja pra kush është modeli i qeverisës së Edi Ramës.
Ja përse droga ka shpërthyer ngado.
Sepse Kryeministri jo vetëm u ka hapur rrugën trafikantëve, por u ka dorëzuar edhe zyrat e rëndësishme të shtetit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





