Tiranë, 18 maj 2014 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka nxjerrë një urdhër për kontrollin e territorit, me qëllim identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike. Në këtë urdhër specifikohen dhe detajohen objektivat dhe qëllimet kryesore të Policisë së Shtetit përsa i përket luftës kundër narkotikëve.
Kreu i policisë urdhëron komisariatet, drejtoritë e policive në qarqe që të ngrenë grupe, me qëllim kontrollin e territorit. Sipas urdhrit, grupet e kontrollit do të përbëhen nga një shef seksioni krimesh, rendi apo referent, një specialist për krimet e zonës, një ndihmës/specialist për krimet, një ndihmës/specialist për rendin dhe punonjës policie të komisariatit, sipas vlerësimit të shefit të komisariatit përkatës.
Sektori për shërbimet mbështetëse urdhërohet që të marrë masa për planifikimin e limitit shtesë të karburantit, mjeteve dhe pajisjeve të tjera të domosdoshme për mbështetjen e strukturave policore për kontrollin e territorit.
Për moszbatimin e këtij urdhri dhe detyrave të dhëna, sipas drejtorit të përgjithshëm do të fillojë menjëherë ecuria disiplinore për çdo funksion përgjegjës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





