Itali, 18 maj 2014 – Një vrasje e trefishtë ka tronditur opinionin publik në Itali. Një burrë, gruaja dhe djali i tij janë gjetur të vrarë në qytetin e Gallurës. Trupat e tyre janë gjetur nga një i afërm, rreth orës 22.45 të së shtunës, në shtëpinë e tyre.   

Sipas hetimeve të para, tre personat e vdekur duket se janë goditur me shkopinj hekuri, ndërkohë që njëri nga viktimat duket se është mbytur.

50 vjeçari Giovanni Maria Azzena, gruaja e tij Giulia, 48 vjeçe dhe djali i tyre Pietro ishin një familje normale. Mësohet se çifti administronte një dyqan veshjesh për fëmijë dhe ishin persona të njohur në Tempio.

Policia po heton në disa pista, ndërkohë që do të jetë autopsia ajo që do të zbulojë nëse viktimat janë mbytur më parë me një kabëll korenti dhe pastaj janë goditur me shkopin e hekurt. Sipas policisë, duket se dikush ka dashur të modifikojë skenën e krimit, pasi rreth viktimave është gjetur shumë pak gjak.

50 vjeçari Azzena rezulton të jetë arrestuar disa vite më parë për një mashtrim financiar bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/