Itali, 18 maj 2014 – E futën me forcë në makinë dhe më pas e qëlluan me plumb, në pulpën e këmbës së majtë. I plagosuri është braktisur në asfalt, ndërkohë që tre agresorët janë larguar me të shpejtë me një automjet tip Fiat Bravo, raporton Il Tempo..
I plagosuri është 26 vjeçari shqiptar Arden Hoxha, i cili u qëllua me armë zjarri në Romë të Italisë. Nga hetimet e policisë rezultoi se Hoxha, i cili banonte në Fiano Romano, nuk kishte precedentë penal. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se agresorët e Hoxhës mendohet të jenë po shqiptarë dhe ngjarja duket si një paralajmërim për 26 vjeçarin.
Sipas dëshmitarëve, tre shqiptarët, në një makinë tip “Fiat Bravo”, u paraqitën pranë një lokali gjatë natës së kaluar, rreth orës 21.30, e morën viktimën me dhunë në makinë dhe pas pak minutash e hodhën përtokë.
Ndërsa Hoxha po tentonte të ngrihej u qëllua në këmbë, ndërkohë që autorët e plagosjes së tij u larguan me shpejtësi.
Policia italaine po vijon hetimet për të zbuluar konfliktet mes Hoxhës dhe autorët, që mesa duket janë të njohur mes tyre. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pritet të merret dëshmia e tij.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





