Tiranë, 18 maj 2014 – “Personi që më shiti drogën quhet Agron. Është nga Fushë- Kruja. Nuk di më shumë rreth tij. Sasinë prej 207-208 kg hashash ma dorëzoi mëngjesin e 10 majit. I pagova 56 mijë euro”. Kështu mësohet të jetë shprehur Saimir Bajrami para hetuesve për njeriun që i dorëzoi sasinë e drogës, që iu sekuestrua nga policia në makinën “Mitsubishi” në Divjakë, raporton “Gazeta Shqiptare”.
I dyshuari Bajrami nuk tregon asgjë më shumë sesa emrin e personit që e furnizoi me lëndë narkotike. “E njoh me këtë emër. E kam kontaktuar përgjatë dy ditëve të qëndrimit tim në Shqipëri. Nuk di të dhëna të hollësishme rreth tij”, – shprehet 36 vjeçari.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton për të identifikuar këtë person, që me shumë gjasë i është prezantuar me emër të rremë Saimir Bajramit. Por, nga mënyra sesi e ka përshkruar i dyshuari, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një eksponent të trafikut të drogës që operon në këtë zonë.
Ndërkohë piloti italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeci në rërën e Divjakës, duket se nuk ka qenë i vetëm në ‘sipërmarrjen’ e tij kriminale. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se Riformato shoqërohej nga dy persona të tjerë, në momentin që është akomoduar në hotel “K…”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Hetuesit nuk bëjnë publikë identitetet e këtyre dy personave, të cilët janë identifikuar përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së hotelit. Prokuroria nuk konfirmon nëse ka marrë dëshminë e këtyre personave, të cilët, edhe nëse nuk rezultojnë të implikuar në rrjetin e trafikut, me shumë gjasë mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin, pasi kanë dijeni për lëvizjet e italianit Riformato.
Më 10 maj 2014, rreth orës 14.10, në vendin e quajtur Plazhi i Divjakës, rrethi i Lushnjës, në afërsi të një objekti trekatësh është gjetur një avion i vogël, me ngjyrë të bardhë, 6-vendësh, i tipit “I-GRMP-PIPER”, piloti i të cilit ishte Giorgio Riformato.
Gjatë kontrollit të avionit dhe territorit përreth tij, në pjesën e pyllit përballë vendit ku është gjetur mjeti fluturues, janë gjetur 94 kg hashash. Kontrollet kanë vijuar sërish dhe rreth orës 14:33, në segmentin e rrugës Divjakë–Plazh, 400 metra nga godina e SPKM (Stacioni Policor Kufitar Migracioni) efektivët e policisë kanë pikasur dy automjete të ndaluara në anë të rrugës, ngjitur me pyllin. Njëra ishte makinë “Mitsubishi” me targa AA 794 HU, me ngjyrë gri, që po ngarkohej në një rimorkio, e tërhequr nga një fuoristradë “Range Rover”.
Në makinën “Mitsubishi” policia ka gjetur sasinë prej 211.8 kg hashash. Drejtuesi i automjetit, Saimir Bajrami u arrestua në afërsi të Urës së Dajlanit. Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, italiani Riformato dhe Saimir Bajrami, po bashkëpunonin me njëri-tjetrin për trafikimin drejt Italisë të drogës nëpërmjet rrugës ajrore.





