DURRËS, 17 maj 2014 –   U mbajnë disa punonjësve me kontratë 22,2 për qind të pagës për sigurime shoqërore-shëndetësore dhe tatim fitim dhe paratë nuk derdhen në buxhet, zbulohet një tjetër skandal i ish-drejtuesve të ALUIZI-t Durrës.

Për punonjësit e marrë me kontratë nga ALUIZNI Durrës, që nga viti 2008 deri më 31 dhjetor 2012, për pagën e dhënë janë ndalur çdo muaj në masën 11,2 për qind kontribut për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si dhe 10 për qind i tatimit mbi të ardhurat, gjithsej mbi 38,6 milionë lekë, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH).

Por këto detyrime nuk janë derdhur në drejtorinë e tatimeve Durrës sipas të dhënave të bilancit të fundit të vitit 2012 dhe auditimit të borderove deri më 15 qershor 2013, periudhë kjo ku janë paguar punonjësit me kontratë.

Shuma mbi 38,6 milionë lekë e padredhur në buxhet të shtetit është përdorur për të mbajtur në punë dhe për të paguar punonjësit me kontratë të rekrutuar nga drejtoria e ALUIZNI-t Durrës, për mungesë të ardhurash nga tarifat e legalizimeve, nënvizon KLSH-ja.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/