Tiranë, 17 maj 2014 – Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka kërkuar sot nisjen e procedurave për shkarkimin e gjyqtares Miranda Çekrezi. Sipas ministrit, gjyqtarja Çekrezi ka shkelur hapur ligjin.
Ai thekson se gjyqtarja s’duhet të gjykonte çështjen për pezullimin e Gjin Gjonit, pasi ky i fundit ka gjykuar Çekrezin në vitin 2011. Ministri Naço është shprehur se gjyqtarja Çekrezi ka mbetur peng e ndereve të vjetra. Naço ka theksuar gjithashtu se Ministria e Drejtësisë është e vendosur të zbatojë ligjin ndaj kujtdo.
Ndërkohë një ditë më parë Gjykata e Elbasanit rrëzoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjoni, njëherazi anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i akuzuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Prokuroria e Elbasanit bëri të ditur se pas shqyrtimit të materialit në kallëzim, organi i akuzës vlerëson të nevojshme për hetimin që të aplikohet masa ndaluese "pezullim nga detyra", sipas parashikimit të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale. Kërkesa u dorëzua në Gjykatë para dy ditësh, por sot gjykata e rrëzoi pretendimin e prokurorisë.
Për anëtarin e KLD-së, procedimi u regjistrua në prokurorinë e Elbasanit, për shkak të konfliktit të interesit që mund të kishte përsa kohë Gjin Gjoni ushtron dhe detyrën e gjyqtarit të Apelit në Tiranë.





