Durrës, 16 maj 2014 – Tentativa për vjedhjen e një lope ka rrezikuar të marrë përmasa më të mëdha sesa kaq. Ndërsa hajdutët i kishin hyrë në kasollen e bagëtive për t’i vjedhur lopën një fshatari nga fshati Kërtushaj, i komunës Ishëm, i zoti i shtëpisë ka dëgjuar zhurmën dhe ka dalë për të larguar personat që donin t’i merrnin lopën.
Për të trembur hajdutët, ai ka shtënë në ajër me çifte, rreth orës 03.00, të datës 15 maj. Këta të fundit, duke pasur frikë se ngjarja mund të merrte përmasa më të mëdha e kanë lënë lopën dhe kanë nisur të largohen.
Por për të bërë dhe hajdutët rolin e të fortit, para se të iknin, kanë shtënë dhe ata në ajër. Policia është njoftuar nga i zoti i shtëpisë, shtetasi A.A., 58 vjeç, për ngjarjen.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer veprimet proceduriale të nevojshme. Efektivët i rendit i kanë marrë 58 vjeçarit, në cilësinë e provës materiale, çiften që mbante me leje. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që tentuan të vidhnin lopën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





