· Programi komunitar Evropa për Qytetarët, kështu më 19-20 maj 2014 njësia puljeze e qeverisjes vendore, me në krye nr. 1 të qytetit dr. Stefano Diperna do t’u mësojë kolegëve shqiptarë standardet e reja të BE-së për mbeturinat e ngurta urbane
DURRËS, 16 maj 2014 – Java e re nis me punë vullnetare për pastrimin e qytetit bregdetar, ku marrin pjesë punonjës të administratave të bashkisë Durrësit dhe qytetit të vogël italian të Mola-s.
Më 19 e 20 maj 2104, një delegacion i bashkisë bregdetare pulieze të Mola-s do të jetë mysafir i qytetit shqiptar të Durrësit për të diskutuar praktikat më të mira në riciklimin e mbetjeve të ngurta urbane, njoftoi kjo njësi e qeverisjes vendore të krahinës së Puljas, që u konfirmua dhe nga zyrtarë të bashkisë së Durrësit.
Projekti “Praktika e mirë në riciklimin e mbetjeve urbane të ngurta nëpërmjet vullnetarizmit”, financuar nga programi komunitar Evropa për Qytetarët (Europe for Citizens), do të mbahet më 19 dhe 20 maj 2014 në qytetin bregdetar të Shqipërisë, projekt nga i cili përfiton bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Urbane të Tiranës, ku bashkia Mola di Bari është partnere.
Kjo veprimtari, e cila ka për qëllim futjen e standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian riciklimin e mbeturinave në rajonin e Durrësit, paraqet një mundësi rritjeje për potencialin turistik të rajonit të Shqipërisë, që në vitet e fundit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, thotë bashkia e Mola-s.
Objektivi kryesor i projektit është rritja e njohurive dhe angazhimit të studentëve dhe qytetarëve në rajonin e Durrësit për të mirat e riciklimit të mbeturinave mbi mjedisin dhe zhvillimin ekonomik.
Me anë të këtij projekti, të financuar plotësisht nga programi komunitar Evropa për Qytetarët (ku Shqipëria aderon që nga shkurti i vitit 2009), bashkia e Durrësit ka për qëllim të transformojë çështjet mjedisore dhe sociale në oportunitete ekonomike.
Delegacioni nga Mola, i përbërë nga punonjës të administratës dhe përfaqësues të shoqatave vullnetare të Mola-s do të ndajë përvojën në menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave të ngurta urbane, përvojë që e ka bërë bashkinë italiane të jetë një nga të parat në Pulja për përqindjet e riciklimit.
“Pas patronazhit të shumë projekteve të shkëmbimeve rinore të realizuara në kuadër të programit “Rinia në Veprim”, pjesëmarrja në vitin 2010 në veprimtaritë e Javës Evropiane të Demokracisë Vendore dhe projektit të binjakëzimit me komunën spanjolle të Pedrajas de San Esteban, një projekt tjetër evropian e përfshin drejtpërdrejt bashkinë tonë – tha kryetari i komunës Dr. Stefano Diperna, – prandaj kam ndërmend t’u drejtoj përshëndetje të ngrohta dhe falënderimet e mia miqve të Durrësit, i bindur se ky projekt do të jetë për të gjithë fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm me bashkinë shqiptare”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





