Tiranë, 16 maj 2014 – Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla bëri të ditur se nga organi i akuzës janë nën hetim çështje të rëndësishme që nëse rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim në të ardhmen e vendit. Deklarata u bë në takimin e organizuar sot për bashkëpunimin ndërinstitucional me Policinë.
"Takime si ky i sotmi janë shumë të rëndësishme për luftën kundër kriminalitetit në vend. Kemi në proces hetimi mjaft raste të rëndësishme, të cilat nëse do të rezultojnë të suksesshme mund të kenë ndikim të rëndësishme në ardhmen europiane të vendit. Ky bashkëpunim (prokurori-polici) është i shoqëruar edhe me raste konkrete suksesi. Janë vendosur përballë përgjegjësisë ligjore zyrtarë të niveleve të ndryshme, prokurorë, gjyqtarë, grupe apo struktura të ndryshme kriminale”,- u shpreh kryeprokurori Llalla.
Interesimit të gazetarëve lidhur me emrat për të cilët po hetohet Llalla deklaroi: “Nuk mund të flas me emra. Kemi disa çështje që janë në proces hetimi, ndaj pritet rezultati i tyre".
Ndërkohë gjatë fjalës së tij në tryezën me ministrin Tahiri, Llalla përmendi edhe rezultatet e analizës per bashkepunimin e Prokurorisë dhe Policisë. “Ka rritje të efektivitetit, të shpejtësisë së veprimeve, cilësisë së referimit të veprës penale, mënyren e kërkimit dhe marrjes së provave, së bashku kemi arritur të realizojmë operacione të rëndësishmë, të cilat kanë pasur si objekt goditjen e strukturave të ndryshme kriminale”,- shtoi Llalla.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





