Durrës, 16 maj 2014 – Largimi i nënës prej 10 ditësh nga shtëpia është denoncuar në komisariatin e policisë së Durrësit nga një 19 vjeçar. Mësohet se adoleshenti K. Dalipi ka deklaruar para uniformave blu, se prej 10 ditësh nëna e tyre është larguar dhe nuk ka kontaktuar me të dhe me të vëllanë gjatë gjithë kësaj kohe.

Largimi nga shtëpia i 41 vjeçares V. Dalipi nuk është një fakt i ri për dy djemtë e saj, 19 dhe 13 vjeç, por sipas tyre ajo nuk ishte larguar asnjëherë kaq gjatë dhe për më tepër të mos kontaktonte fare me ta.

Prindërit e dy djemve janë divorcuar kohë më parë dhe fëmijët ishin lënë nën kujdestarinë e gruas, megjithëse ajo e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Sipas policisë, 41 vjeçarja V. Dalipi mendohet të ketë nisur një lidhje dashurie dhe për këtë arsye është larguar nga shtëpia.

Ndërkohë një tjetër grua është larguar nga shtëpia, por këtë herë denoncimi në polici është bërë nga burri i saj. Burime policore konfirmojnë për “Dyrrah”, se 23 vjeçari S.Gj., banues në fshatin Rrushkull ka deklaruar se prej 4 ditësh (më datë 12 maj) gruaja i është larguar nga shtëpia dhe ai nuk dinte asgjë për vendndodhjen e saj të re. Burri ka kërkuar ndihmën e policisë për të lokalizuar vendndodhjen e së shoqes.

Për të dyja gratë që janë larguar nga shtëpitë respektive, policia e Durrësit ka bërë shpalljen në kërkim dhe po punon për gjetjen e tyre.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/