15 maj 2014 – Të Dielën më 18 Maj sezoni futbollistik 2013-2014 do të japë verdiktin e fundit me përcaktimin e fituesit të Kupës së Shqipërisë, që do të jetë një mes Kukësit dhe Flamurtarit. Kjo finale pritet me shumë interes sidomos nga Teuta e Durrësit, që shpreson që trofeun e Kupës ta ngrejë lart Kukësi për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.

Është pikërisht kjo sfidë që mban peng planet e djemve të detit, që me përfundimin e kampionatit kanë marrë pushimet, por që mund të zgjasin shumë pak nëse Flamurtari dështon të fitojë Kupën e Shqipërisë.
Të gjithë futbollistët por edhe pjesëtarët e stafit teknik presin thjesht telefonatën e drejtuesve për t’u mbledhur dhe nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e mundshme në Europa League, që tashmë varet vetëm nga rezultati i finales së Kupës. Në fakt një pjesë e mirë e lojtarëve që përfunduan kampionatin, madje edhe vetë trajneri Ilir Biturku, presin të dinë nëse do të vijojnë bashkëpunim me Teutën edhe për sezonin e ardhshëm.

Është fakt që shumë nga elementët e afruar në merkatos së Janarit si pjesë e marrëveshjes me Gea Sport, janë larguar përfundimisht nga skuadra, pasi nuk i përmbushën pritshmëritë gjatë pjesës së dytë të sezonit, ndër të vemit që spikati ishte Amadou Samb, i cili mund të joshet nga aventura europiane për të vijuar karrierën në Durrës. Deri më 18 Maj, për djemtë e detit do të vijojë kjo situatë pritjeje dhe nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, pushimet për ta do të zgjasin vetëm pak javë.