·      Ekskluzive e “Dyrrah”-ut/ Revista e specializuar britanike për transportin detar Port Strategy, që ka autoritet botëror: “Durres Container Terminal  sot mund të konsiderohet si mundësi e humbur”

·      Kurum-i “ka bërë një gabim tejet të thjeshtë dhe të shtrenjtë” duke blerë “një vinç të lëvizshëm të rëndë, i cili nuk mund të operojë në kalatën e terminalit – struktura e kalatës nuk është mjaftueshëm e fortë për ta mbajtur”

·      Botimi anglez ka mësuar se turqit dëshirojnë të ndryshojnë “kushtet e koncesionit, por a do ta pranojë APD-ja?”

 

DURRËS, 15 maj 2014 –  “Qeveria e re shqiptare ka dëshmuar gatishmërinë e saj për rishikuar marrëveshjet portuale lidhur me procesin e koncesionit për terminalin e trageteve. Është ndoshta koha për të kontrolluar koncesionin Terminalit të Kontejnerëve Durrës në përputhje me interesin kombëtar”, sugjerohet botërisht nga revista e specializuar britanike për transportin detar  Port Strategy, që ka autoritet botëror në vendimmarrje.

Me gjithë rritjen dyshifrore të trafikut të kontejnerëve në portin e Durrësit, gjendja e koncesionit të Grupit turk Kurum, tani është edhe më pak e suksesshme, shkruan  Port Strategy, botim i cili sërish “i qepet më bukë në trastë” Terminalit të Kontejnerëve të Durrësit.

Durres Container Terminal  sot mund të konsiderohet si një mundësi e humbur”, thotë revista britanike, e cila ka mësuar se turqit dëshirojnë të ndryshojnë “kushtet e koncesionit, por a do ta pranojë APD-ja? Janë bërë përpjekje të panumërta  stop- start  për të prokuruar pajisje. Janë kërkuar specifikime dhe çmimi, por rrallë dilet jashtë këtij kuadri. Me sa duket mungon dukshëm dëshira për të harxhuar shumë pare”.

Port Strategy shkruan se Kurum-i “ka bërë një gabim tejet të thjeshtë dhe të shtrenjtë” duke blerë “një vinç të lëvizshëm të rëndë, i cili nuk mund të operojë në kalatën e terminalit – struktura e kalatës nuk është mjaftueshëm e fortë për ta mbajtur.

Tani është porositur një tjetër vinç i lëvizshëm i rëndë që me sa duket do të jetë në gjendje të punojë në kalatë, por realiteti në fund të fundit është se mbetet shumë pak në rrugën e progresit për të parë se kur do të jetë data e operimit”.

Në shkrimin e botuar më 14 maj 2014, vihet në dukje se terminali i kontejnerëve “është i vetmi në llojin e vet në vend dhe si i tillë ushtron ndikim të fortë mbi veprimtarinë e import- eksportit si për Shqipërinë ashtu edhe për vendet e tjera si Maqedonia dhe Serbia. Ka potencial të rritet dhe është në rritje, por po aq e vërtetë është të thuhet se kjo rritje pengohet nga mungesa e investimeve të duhura në kohën e duhur dhe në fund të fundit nga mungesa e një operatori profesionist”.

“Dyrrah”-u do të botojë pak më vonë tekstin e plotë të shkrimit në versionin shqip dhe origjinal.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/