15 maj 2014 – Pak vite më parë ishte në moshë më të re, nuk fliste rrjedhshëm gjuhët e Europës, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, por kudo ka shkuar Milani I ka mbetur në zemër. Ndoshta është kjo arsyeja pse Carlo Ancelotti mund të rikthehet në bazë. Me perëndimin e Clarens Sedorf, ish-tekniku kuqezi është rikthyer në planet e Adriano Gallianit. Është një operacion shumë i vështirë, edhe pse për momentin mbetet në kuadrin e një ideje sugjestionuese. Nga njëra ana qëndron tekniku I cili ka bërë gjëra të mëdha te Milani në Itali, por edhe në Europë.
Nga ana tjetër qëndron klubi që e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare. Pa Milanin nuk do të ekzistonte miti i Carlo Ancelottit dhe pa Ancelottin klubi kuqezi ndoshta do të kishte nja dy Champions më pak në palmaresin e tij.
Me një fjalë janë fate që bashkohen. Carletto po jeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Pas një javë do të luajë finalen e Champions League ndaj Atleticos, e pikërisht nga derbi më prestigjioz I Europës do të varet edhe e ardhmja e tij. Në Madrid thuhet që tifozët nuk janë të kënaqur, sepse një klubi si Reali nuk i mjafton vetëm Kupa e Mbretit.
Pra, pa Championsin puna e deritanishme e 54-vjeçarit do të ishte një dështim. Në këtë kontekst, nëse Reali nuk arrin të fitojë La Deciman, Ancelotti mund të rikthehet te Milani, ku do të ketë për detyrë të përgatisë të ardhmen e Inzagit duke e marrë ndihmës të tij. Gjithsesi do të ishte një rikthim shumë I kushtueshëm, pasi do t’I duhej të hiqte dorë nga një pjesë e mirë e parave madje më shumë se gjysmën e shumës që përfiton te Reali.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





