DURRËS, 14 maj 2014 – Të hipotekosh 1 025 600 euro pasuri për të marrë 290 mijë euro kredi nga një bankë e huaj, ja sa shumë rëndon një borxh, që, për fat të keq, mund të mos shlyhet.
Shoqëria “Shërbimi Përmbarimor ZIG” shpk ka njoftuar për nxjerrje në ankand më 19 maj 2014 në Tiranë, të 7 pasurive në qytetin e Durrësit (dy bodrume, 2 apartamente, 3 njësi) me sipërfaqe gjithsej 975.14 metra katrorë, pronë e shoqërisë “Ejstel” shpk, hipotekuar në favor të UBA-s (Banka e Bashkuar e Shqipërisë sha) më 19 qershor 2009 dhe 8 tetor 2010 për të garantuar shlyerjen e plotë të detyrimit në shumën 280 mijë euro.
Sikurse ka llogaritur “Dyrrahu”-u, objektet do të kenë çmime fillestare të tilla: dy bodrume me sipërfaqe të njëjtë me 800 euro metri katror; dy apartamente me sipërfaqe të njëjtë me 960 euro metri katror, tre njësi tregtare me 1 606 dhe 1 400 euro metri katror.
Info
Banka e Bashkuar e Shqipërisë, Shoqëri anonime, me seli në Tiranë: themeluar më 13 maj 1993, ku aksionari kryesor është Islamic Development Bank e Arabisë Saudite me 86,69 për qind të paketës; aksionarët e tjerë janë nga Bahreini dhe Malajzia dhe disa individë nga Arabia Saudite; ka 12 degë (Tiranë, Shkodër, Fier, Durrës, në këtë fundit nga vitit 2007); ka vënë në ankand shumë pasuri në Plazhin e Durrësit.
EJSTEL, Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me seli në Tiranë; ushtron veprimtari edhe në Durrës, Rrashbull, Shkallnur, në fshatin Qerret (Kavajë) Shkodër, fshatin Budull të Bubqit (Krujë); merret me ndërtime (zbatim-projektim), tregti, pika servisi, fshatra turistike, hotele, motele, dhënie me qira pasurish të tundshme dhe të patundshme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





