14 maj 2014 – Emisionet televizive në darkë ofrojnë intervista dhe diskutime për tematika politike, ekonomike dhe kulturore. Ngjarja e Divjakës vijon të mbetet kryetema e emisioneve televizive. Në UTV News, në 21:00 është emisioni “Fakt” i Çim Pekës me temë “Karteli i drogës", që sigurisht, i referohet ngjarjes së Divjakës. Në panel janë analistët Artan Hoxha, Andi Bejtja, Lorenc Vangjeli dhe Andi Bushati si dhe Frrok Çupi e Fatos Klosi. Në 22:00, në Ora News, është “Tonight” i Ilva Tares, ku për të dytën mbrëmje radhazi do të diskutohet për avionin e Divjakës dhe trafikun e drogës. Në 22:30, në Tv Klan është “Opinion” i Blendi Fevziut ku pritet të diskutohet për aktualitetin.

Në 23:00, në Albanian Screen diskutohet për artin e kulturën. Gazetari Aleksandër Furxhi ka të ftuar në studion e “Prizëm”, koreografin shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj. Koreografi i njohur do të flasë për rikthimin në Shqipëri pas 20 vitesh, arrastisjen e familjes së tij, takimin me baletin në moshë fare të re dhe karrierën e tij si balerin dhe koreograf i përmasave botërore etj. Në News 24, në 21:00 është emisioni “Të bësh ekonomi” i gazetares Aurora Sulçe ku do të jepet një intervistë me Nadeem Ilahi, shef i Misionit të Fondit Ndërkombëtar për Shqipërinë.

Në orën 22:30, po në News 24, gazetari Rezear Xhaxhiu vjen me emisionin e përnatshëm “Natë me Xhaxhiun”. Sonte i ftuar është antropologu Përparim Kabo, i cili do të analizojë frymën e “Rilindjes” në vigjiljen e 1 vjetorit të ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste.  Në Top Channel, në 22:45 është emisioni “Top Show” i Alban Dudushit ku diskutohet sërish për çështjen e Divjakës. Të pathënat e avionit të Divjakës, si funksionojnë avionët e vegjël në hapësirat ajrore dhe mundësia e korridoreve të trafikimit. Për këto diskutohet në studion e Dudushit.

Në UTV, në emisionin e natës së vonë "Ora 00", gazetari Alen Xhelili do të zhvillojë një bisedë me përfaqësuesin e PD-së, ish-zëvëndësministrin e Jashtëm Kreshnik Çollaku. Po ashtu, mund të ndiqni edhe titujt e faqes së parë të gazetave.