Tiranë, 14 maj 2014 – Një debat midis ish-konkurrentëve, i lindur gjatë transmetimit 'live' në spektaklin e "Big Brother", ka degjeneruar në dhunë fizike. Katerina dhe Fatjoni janë sharë e ofenduar keq dhe më pas janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin. Sipas Katerinës, ishte Fatjoni ai që kishte nisur sherrin duke e ofenduar me fjalë të rënda. E fyer nga sharjet e tij, ish-banorja bionde i ka rënë me shpullë. Paskëtaj situata është acaruar akoma më shumë dhe Fatjoni e ka dhunuar Katerinën. Në këtë intervistë për “VIP pages”, e eliminuara nga reality show "Big Brother" rrëfen të vërtetën e sherrit të pakëndshëm dhe ndryshimet në jetën e saj pas aventurës televizive.
Katerina, si është e vërteta e sherrit me Fatjonin gjatë spektaklit të së premtes? Të ka dhunuar fizikisht, siç përflitet?
Me Fatjonin patëm një debat gjatë spektaklit në lidhje me videoklipin e paraqitur për puthjen me Valerin. Më pas gjatë publicitetit, kur unë u largova për të pirë cigare, ai erdhi nga pas dhe më sulmoi e më ofendoi direkt me fjalë të rënda. Aty ndodheshin dhe Ervini, Zhaku, Matilda dhe opinionisti Mandi. Pasi më quajti kurvë, unë si fillim nuk reagova dhe e injorova. I kërkova të largohej, por ofendimet nga goja e një mashkulli të tillë, të martuar e mbi të gjitha kundrejt një femre, ishin të patolerueshme. U acarova dhe në nerva e sipër e gjuajta me shpullë, sepse po vazhdonte të ofendonte akoma. Nga momenti që i rashë me shpullë, Fatjoni reagoi duke më kapur me forcë në krahun e djathtë dhe më la direkt shenjë dhe të çjerra. Sherri dhe sulmi i tij i papritur nuk mbaroi me kaq. Pasi më lëndoi, unë u acarova edhe më keq dhe u mata ta gjuaja me çantën e dorës, por fatkeqësisht çanta zuri Esidën në kokë dhe për këtë i kërkoj falje asaj. Sherri dhe sulmi lindi i gjithi nga Fatjoni vetë dhe ishte dhunë psikologjike e më pas fizike. Një mashkull s'duhet të merret me një femër dhe prej tij dua një falje publike.
Njerëzit në studio, si reaguan? Arbana, Mandi…
Mandi ka qenë prezent vetë gjatë përplasjes dhe është munduar të shuajë sherrin e të na ndante për të qetësuar situatën. Mua personalisht më mbrojti dhe më dha shumë të drejtë. Arbana e mori vesh në fund fare të spektaklit, pas mbylljes.
A të kërkoi Fatjoni falje pas kësaj që ndodhi?
Po. Pasi isha duke u rikthyer në skenë e shoqëruar nga shefi i sigurisë së "Top"-it, Fatjoni më ndaloi dhe më tha tekstualisht: "Më fal që të preka dhe ti e di që unë të kam xhan". I thashë: "Fatjon, pres falje publike për gjithçka".
Mendove ta denoncosh në polici?
Jo, nuk më intereson pjesa e denoncimit në polici, sepse nuk e kam të nevojshme dhe s'dua të merrem më fare me ata dy persona, si Fatjoni, si Matilda. Thjesht dua dhe pres faljen publike.
Si ka ndryshuar jeta jote pas pjesëmarrjes në "Big Brother"? Të pëlqen ky ndryshim?
Jeta ime pas "Big Brother" është bërë akoma më interesante dhe e bukur. Normalisht që ka ndryshuar pak, përderisa je person publik dhe automatikisht kur kalon në rrugë ose edhe kur je e ulur në kafe me shoqërinë ke gjithmonë sy që të vëzhgojnë. Nganjëherë kjo është dhe pak e sikletshme, por është edhe kënaqësi.
Mendon se ky spektakël do të të ndihmojë në punën tënde?
Mendoj se do të më ndihmojë. Por gjithsesi unë gjithmonë mundohem të eci përpara me forcat e mia, sepse nuk më mungojnë asnjëherë vullneti, ambicia dhe dëshira për të realizuar ëndrrat e mia ose për të krijuar të ardhmen që dëshiroj. Dhe duke bashkuar këto gjëra bashkë, "Big Brother"-in dhe vullnetin tim, shpresoj që të më ofrohen oportunitete të mira.
Me çfarë po merresh aktualisht? Çfarë pune do të dëshiroje të bëje?
Aktualisht po merrem akoma me spektaklin, siç ju besoj jeni në dijeni. Ne jemi prezentë çdo të premte në studio. Duke ditur që unë vij nga Italia me një lloj eksperience për sa i përket fushës së artit, dëshiroj shumë që të vazhdoj të eci përpara në botën e spektaklit dhe televizionit, pasi vazhdojnë të jenë pasionet e mia më të mëdha.
I ke ndjekur banorët nga ekrani? Si po të duken?
Po, patjetër që i kam ndjekur. Shumica e tyre vazhdojnë të më duken po njësoj siç i kam parë kur kam qenë akoma brenda në shtëpi. Gjëja që kam vënë re është që vazhdon dhe përmendet emri im, dhe të them të drejtën më duket sikur kanë rënë pak në heshtje pa praninë time aty brenda.
Kush mendon se do ta fitojë këtë edicion të "Big Brother" dhe kush do të dëshiroje ti që ta fitonte?
Unë mendoj dhe dëshiroj që fitues të jetë Arditi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





