Itali, 14 maj 2014– Një prostitutë shqiptare, të cilën e përditshmja italiane “Oggi” e quan Anxhela, për të mos dhënë identitetin e saktë të saj, tregon tmerrin e 2 muajve më parë, kur rrezikoi të pësonte të njëjtin fat si kolegia e saj rumune, që humbi jetën për shkak të maniakut të Firences.
Gruaja 40 vjeçare tregon se monstra Riccardo Viti e kishte lidhur këmbë e duar, pas raportit seksual, por kur ajo kishte nisur të bërtiste ai kishte ikur duke i marrë edhe 110 eurot që kishte në çantë.
Anxhela tregon se hidrauliku 55-vjeçar, i cili u arrestua pak ditë më parë, pasi akuzohet si vrasës serial i prostitutave, e kishte takuar para 2 muajsh dhe i kishte premtuar 300 euro për një raport seksual, të cilin do ta bënte me duar të lidhura.
“Meqë ishte italian dhe meqë kishte një farë moshe mendova se s’do më bënte gjë, pasi ne kemi besim tek italianët. Ishim duke kryer një raport seksual, kur më ngriti peshë dhe më tha të kthehesha. Hapi valixhen që mbante me vete, por unë nisa të bërtisja dhe ai iku me vrap, pasi më mori 110 euro që kisha në çantë. Të bërtiturat e mia i dëgjuan disa njerëz që kishin shtëpinë aty pranë. Ishin ata që erdhën dhe më liruan. Nuk e denoncova në polici, pasi më vinte turp, edhe për shkak të punës që bëj. Nëse do ta kisha denoncuar ndoshta do kisha shpëtuar nga vdekja Kristinën. Kur më thirrën dhe komisariat policët për ta identifikuar e njoha menjëherë”,– rrëfen 40 vjeçarja.
Riccardo Viti, 55 vjeçari hidraulik nga Firence, akuzohet për vrasjen e prostitutës rumune Cristina Zamfir, e cila u gjet e vdekur e kryqëzuar në një tra, poshtë një nënkalimi.
Por Viti dyshohet se është autor i sulmit dhe përdhunimit të disa prostitutave, ngjarje këto të ndodhura në të njëjtin vend, në muaj e vite të ndryshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





