Itali, 14 maj 2014 – Në 19 janar 2008, u gjet i karbonizuar Petrit Keçi, 30 vjeç. Policia italiane dyshoi në atë kohë se bëhej fjalë për larje hesapesh mes bandave shqiptare të drogës. Trupi i Keçit u gjet pranë fermës Fontepecana (Fontepezzana). Keçi sipas autopsisë ishte rrahur, ekzekutuar me armë zjarri dhe më pas ishte djegur me benzinë nga mesi e lart, për të fshehur identitetin e viktimës.
Në 4 janar 2010, Gjykata e Apelit e Ankonës dha këto dënime për të dyshuarit si vrasës të Keçit:
Ervis Çela, 27 vjeç, me 30 vjet burg.
Fatos Hyseni, 27 vjeç, me 30 vjet burg.
Ardian Çela (vëllai i Ervisit), me 18 vjet e dy muaj burg.
Për shkak të dy vendimeve kontradiktore të Gjykatës së Kasacionit në Itali dhe veprimtarisë jashtëzakonisht profesionale të avokatëve të të pandehurve, procesi ndaj tre shqiptarëve u stërzgjat. Me përfundimin e afateve të paraburgimit të tre shqiptarët, që ishin mbyllur në burgun e Marino Del Tronto-s, u liruan menjëherë. Për ta mbetet në fuqi masa e sigurisë: banim i detyruar. Ata janë të detyruar të vazhdojnë të banojnë në qytetin e San Benedetos. Karabinieria italiane i druhet një hakmarrje tipike shqiptare në tokën italiane nga ana e të afërmve të viktimës Petrit Keçi.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





