Tiranë, 14 maj 2014 – Ekspertë të Guardia Di Finanza kanë inspektuar sot avionin me piloti italian, i cili u rrëzua të shtunën në plazhin e Divjakës.
Pas ekspertizës, mësohet se ekspertët e Guardia Di Finanza u shprëhën se avioni rezultonte i modifikuar.
“Avioni rezulton i modifikuar, i janë lëvizur sediljet. Bëhet fjalë për një avion që shërbente për për pasagjerë. Në pjesën e prapme të tij u vërejt modifikimi i sediljeve”,-shprehen ata.
Sipas tyre, ky modifikim sediljesh lë të dyshohet se do të transportonte diçka.
Ndërkaq, burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se autoritetet italiane kanë nisur hetimet në lidhje me ngjarjen në fjalë, duke u përqendruar kryesisht tek piloti italian Giorgio Riformato, i cili sipas lejes së fluturimit duhej të ulej në Pescara, në territorin e shtetit fqinj.
Mësohet se hetimet e kryera nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, do të koordinohen me hetimet që do të kryejnë autoritetet italiane. Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje masën e arrestit burg për pilotin italian 67 vjeçar si dhe për Sajmir Bajramin i cili po transportonte me makinë 460 kg hashash e cila do të ngarkohej në avion me destinacion përfundimtar Italinë.





