Durrës, 14 maj 2014 – Do të ketë festë edhe për Teutën. Kur një pjesë e mirë e skuadrave që kanë arritur objektivat kanë organizuar festën e suksesit, “djemtë e detit” do të festojnë për një tjetër motiv.

Skuadra dhe një pjesë e mirë e stafit durrsak do të mblidhen me rastin e martesës së kapitenit Bledian Rizvani, dasmë e cila do të zhvillohet më 25 maj. Skuadra ka marrë pushimet ende të papërcaktuara (në varësi të përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë), ndërsa kapiteni ka përfituar për ta shfrytëzuar kohën duke u marrë me hollësitë e ceremonisë martesore.

Rizvani zbuloi se për pak ditë do të lërë beqarinë, por sërish do të qëndrojë besnik ndaj futbollit. Duke i bërë një analizë sezonit, kapiteni i Teutës e konsideron relativisht të suksesshëm, ndërsa dështimet sipas tij ishin vetëm pikët e lëna dhe fati kundër.

“Kampionati dhe gara për kupën ishin më të vështira nga ç’e kishim parashikuar. Skuadrat nuk kishin shumë diferenca nga njëra-tjetra, ndaj dhe një pjesë e mirë e tyre dështoi pikërisht nga mungesa e fatit. Të paktën ne kemi qenë shumë të pafat, pasi kemi lënë pikë nga episode të ndodhura në limitet e fundit të ndeshjeve. Kemi lënë shumë pikë pas dhe pasojat po i vuajmë tani. Skuadra ka zhvilluar një edicion të mirë, por patëm luhatje në rezultate, të cilat po i vuajmë tani. Mundësia e fundit për të shkuar në Europë do të jetë në sfidën finale të kupës. Duhet me patjetër që Kukësi të dalë fitimtar nga ky duel, në mënyrë që ta konsiderojmë sezon të suksesshëm. Kukësi do t’i bëjë në radhë të parë nder vetes së vet duke fituar Kupën, pastaj ne përfitojmë”,- u shpreh Rizvani, i cili nuk po i shijon dot si duhet pushimet, pasi po merret me detajet e dasmës.

“Nëse do të fitojë Kukësi, do t’u rikthehemi ambienteve sportive më herët për t’u përgatitur për Europën. Personalisht po e shfrytëzoj kohën duke u marrë me disa detaje rreth dasmës, ceremoni që do të zhvillohet më datë 25 maj. Do të jetë thuajse e gjithë skuadra, stafi teknik, drejtuesit, si dhe emra që merren me botën e sportit”,- vijoi më tej kapiteni.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/