Durrës, 14 maj 2014 – Dega teknike në bashkëpunim me inspektoriatin e Ujësjellësit të Durrësit kanë zhvilluar paraditen e sotme aksionin për prerjen e 50 lidhjeve të paligjshme, të cilat ishin lidhur në tubacionin e vjetër që kalon në zonën e Rrashbullit.
Lidhjet ishin bërë në tubacionin 400 mm, duke shkaktuar një humbje të konsiderueshme të ujit të pijshëm. Pas evidentimit të këtyre lidhjeve, dega teknike së bashku me inspektoriatin i kanë prerë të gjitha.
Kryetari i degës teknike, Lorenc Facja, tha se në zonën që njihet si Mulliri i Bullgarit janë evidentuar 50 lidhje të paligjshme, të cilat janë ndërprerë sot dhe kështu do të vazhdohet edhe me lidhje të tjera, që do të evidentohen në të ardhmen.
Facja iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nuk kanë bërë kontratë me ujësjellësin, që të paraqiten pranë ndërmarrjes për të bërë kontrata, pasi të gjitha këto lidhje do të ndërpriten.
Prej më shumë se një muaji, Ujësjellësi i Durrësit ka zhvilluar disa aksione të tilla për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme që janë bërë në rrjetin e ujit të pijshëm. Pas aksioneve në Shkozet, autostradë dhe zonën e plazhit, aksioni do të vijojë në zonën e shëtitores Taulantia, në lagjen nr 1 të qytetit bregdetar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





