Durrës, 12 maj 2014 – Një lëkundje e fortë tërmeti  është ndjerë në disa qytete në jug të Shqipërisë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Lëkundja e parë, e cila ka pasur edhe intensitetin më të lartë është regjistruar rreth orës 02.55 minuta të mëngjesit.

Sipas Institutit Sizmiologjik, tërmeti ishte me magnitudë 5.1 ballë e shkallës Rihter. Epiqendra e tij ka qenë në fshatin Grazhdan, 27 km në jug-lindje të Sarandës.

Mësohet se tërmeti është ndjerë në qytetet e Sarandës, Gjirokastrës, Vlorës, Beratit si dhe në një pjesë të veriut të Greqisë.

Kjo lëkundje e parë është shoqëruar nga 4 të tjera. Lëkundja e dytë, që ka pasuar tërmetin 5.1 ballë ka qenë e intensitetit 3.2 dhe epiqendrën e ka pasur po në fshatin Grazhdan.

Ndërkohë lëkundjet e tjera kanë pasur intensitet më të ulët, 2.4-2.6 ballë të shkallës Rihter.

Lëkundja e fundit e mëngjesit të sotëm është regjistruar në orën 05.52. Ajo ishte me manjitudë 2.5 ballë e shkallës Rihter dhe epiqendrën e ka pasur në fshatin Karrop, 26 km në jug-lindje të Sarandës.

Deri tani, fatmirësisht nuk ka njoftime për të lënduar në njerëz ose dëme materiale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/