Durrës, 11 maj 2014 – Frekuentimi i plazhit të Durrësit, për herë të parë për këtë vit, nuk ka qenë aspak i mbarë për një shtetase nga Kosova.
E moshuara 67 vjeçare B.Sh. nga komuna e Skënderajt, kishte ardhur bashkë me familjen e saj për të kaluar fundjavën në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.
Por ndërsa ndodhej në bregdet dhe po u gëzohej rrezeve të diellit, 67 vjeçarja është trembur, kur një person ende i paidentifikuar i është afruar dhe me shpejtësi i ka shkulur nga qafa një varëse të florinjtë.
E moshuara dhe familjarët e saj nuk kanë pasur mundësi të reagojnë, pasi i riu është larguar me vrap nga vendngjarja.
Në këto kushte, 67 vjeçarja i është drejtuar komisariatit të policisë për të bërë denoncimin përkatës.
Ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, pushuesja nga Kosova duket se nuk do ta harrojë lehtë këtë ngjarje aspak të këndshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





