· Në Shqipëri janë rreth 90 vendburime dhe objekte gurësh dekorativë me rreth 370 milionë metra kub rezerva me perspektivë të hapur për shtimin e tyre, të cilët deri tani shumë pak janë vënë në përdorim në sektorin e ndërtimit etj.
DURRËS, 11 maj 2014 – Mermer egjiptian në vendin e mermerëve, kështu një firmë grosiste sjell me anije moldaviane blloqe gurësh dekorativë nga Afrika e Veriut në një vend, dikur eksportuese e këtij minerali jometalor (Itali, Francë, Poloni, Hungari dhe në vendet arabe) dhe që me këtë material ndërtimi shqiptar ka shtruar e veshur Pallatin e Kulturës, muzeun Historik, hotelin “Tirana”, muzeun e Skënderbeut në Krujë etj.
Sipas sajtit të APD sha, të hënën më 12 maj 2014 pritet të mbërrijë në portin e Durrësit anija Roger (flamur i Moldavisë) me 2 mijë tonë gurë mermeri, që do të shkarkohen në kalatën nr. 5.
Duke shfrytëzuar Sistemin e Identifimit Automatik të anijeve (AIS), “Dyrrah”-u në orën 15:25 të 11 majit 2014 ka zbuluar vendndodhjen e anijes Roger në jugperëndim të Greqisë, duke iu drejtuar portit të Durrësit.
Roger-i është nisur me ngarkesën e mermerit më 6 maj 2014, ora 18:03 sipas orës vendore, nga kalata e portit të vogël egjiptian të Abukir-it, me hekurudhë 23 kilometra në verilindje të portit të Aleksandrisë.
Rekomandimet e arkitektëve dhe mungesa e informacionit për tregun shqiptar të mineraleve jometalore, ka bërë që të kërkohet mermer deri në Afrikën e Veriut, teksa para viteve 1990 porti rrethohej me blloqe mermeri për eksport; madje deri në vitet 2000 disa prej tyre kanë “mbijetuar” në pjesën jugore të rrethimit.
PARADOKSI
Por paradokset e tranzicionit shqiptar kanë bërë që edhe ato pak sasi mermeri që eksportohej ende, të përdoren nga trafikantët e drogës, duke u hapur vrima në blloqe.
Në janar të vitit 2014 policia italiane zbuloi një tjetër skemë trafiku të lëndëve narkotike nga Shqipëria, ku në pranga janë vënë 5 persona, si dhe janë sekuestruar 800 kg marijuanë.
Trafikimi i lëndës narkotike është kryer duke u fshehur brenda një blloku mermeri me peshë 20 tonë, ku në mes kishin hapur një gropë, e më pas brenda saj ishte fshehur lënda narkotike.
Nëse droga do të kishte dalë në treg, do të arrinte një vlerë prej afro 1 milion euro.
Kamioni ka mbërritur në Brindisi duke ardhur me traget nga Durrësi (në foto).
Info / Shkëmbinjtë dhe mineralet industriale jometalore
Në Shqipëri janë rreth 90 vendburime dhe objekte gurësh dekorativë me rreth 370 milionë metra kub rezerva me perspektivë të hapur për shtimin e tyre, të cilët deri tani shumë pak janë vënë në përdorim në sektorin e ndërtimit etj.
Gurët dekorativë karbonatikë janë të përhapur kryesisht në zonën e Korabit, në periferi të Mirditës, Alpe, Tropojë, Kukës, Dibër, Bulqizë, Mat, Librazhd, Pogradec, Korçë, Kolonjë, Lezhë, Krujë, Tiranë, Elbasan, Lushnjë, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë.
Me shkëmbinjtë karbonatikë lidhen shumica e vendburimeve dhe shfaqjeve dekorative të vendit si vendburimet e Muhurit, Gjurasit e Kovashicës në Dibër, shfaqja e Kolesjanit në Kukës, Qaf Shtamës në Mat, Mirakës e Derstilës në Elbasan, Linit në Pogradec, Malit të Thatë në Devoll, disa shfaqje te rajoneve Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë etj.
Me veti dekorative shumë të mira janë dhe gurët dekorativë, konglomeratikë te Munellës (Puke), Pretushës (Pogradec), Bitinckës (Bilisht) etj.
Në vitet 1950-1990 janë bërë përpjekje relativisht të vogla duke përdorur gurët dekorativë të vendit për veshjen dhe shtrimin e disa ndërtesave kapitale si Pallati i Kulturës, Muzeu Historik, Hotel Tirana, Muzeu i Skënderbeut në Krujë etj. por kanë qenë shume të pakta në krahasim me pasuritë që ka Shqipëria me gurë dekorativë.
Në vitin 1991 edhe e vetmja miniere që prodhonte blloqe mermeri, ajo e gurit të kuq në Muhur (Peshkopi) u mbyll, por që u riaktivizua për shfrytëzim në vitin 2012.
Kavoja e mermerit të kuq në zonën e Muhurit në Peshkopi është e njohur në veçanërisht në Itali, Francë, Poloni, Hungari dhe në vendet arabe për shkak të cilësisë së lartë dhe periudhës 51-vjeçare të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të saj; rezervat e shfrytëzueshme të saj sipas studimeve gjeologjike arrijnë deri në 10 milionë metra kub.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





