Spanjë, 11 maj 2014 – Fitimi i vendit të parë në Eurovizion nga ajo që u cilësua nga shumë media ‘zonja me mjekër’, transeksualja austriake Conchita Wurst, ka irrituar së tepërmi spanjollët.
Agjencia spanjolle “Estrella Digital” ka sulmuar vendet që votuan me 12 pikë fituesen e Eurovizionit, madje sulmi i saj është drejtuar edhe ndaj fqinjit, Portugalisë. Ndërsa Spanja i dha 12 pikë këngës portugeze, Portugalia nga ana e saj u tregua shumë e shtrënguar në pikët e dhëna Spanjës.
“Në djall ata që votojnë për zgjedhjet e ardhshme evropiane dhe të gjitha zonjat austriake me mjekër” e nis artikullin “Estrella Digital”.
Spanja u përfaqësua në këtë edicion të Eurovizionit me këngëtaren Ruth Lorenzo.
Po ndërsa shprehet mjaft kritike ndaj vendeve të tjera evropiane, “Estrella Digital” nuk i kursen lëvdatat për vendin tonë.
Në shkrim “Estrella Digital” thekson në veçanti: "Vetëm Shqipëria e njeh muzikën, duke na votuar me 12 pikë. Nëse ndokush dëshiron të kalojë pushimet jashtë Spanjës, atëherë ai duhet të shkojë në Shqipëri".
Në këtë mënyrë, agjencia spanjolle bën një reklamë falas dhe fushatë promovuese për vendin tonë, duke mos u ndalur vetëm tek vlerësimi i shqiptarëve për muzikën, por duke i bërë apel spanjollëve të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.
Madje “Estrella Digital” shkon edhe më tej kur shprehet se nëse shqiptarët do të ishin fqinjët e tyre, ndryshe nga francezët apo portugezët, do t’ua paguanin borxhet në banka.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





