Durrës, 11 maj 2014 – Policia e Durrësit ka ushtruar kontroll në banesën e prindërve të Sajmir Bajramit, 35 vjeçarit, që u arrestua pasditen e së shtunës në zonën e Divjakës, si një nga personat e dyshuar në trafikimin e 460 kg drogë me avionin e shtetasit italian Giorgio Riformato.
Burime policore bëjnë të ditur se prindërit e Sajmir Bajramit banojnë në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar, afër stacionit të trenit, dhe janë vendosur aty në fillim të viteve ’90.
Mësohet se në shtëpinë e prindërve të 35 vjeçarit nuk është gjetur asnjë gjë kompromentuese. Duket se 35 vjeçari, që ka mbërritur vetëm tre ditë më parë në Shqipëri, nuk ka dashur të lërë gjurmë të veprimtarisë së tij të paligjshme në shtëpinë atërore.
Sajmir Bajrami është i ditëlindjes 6 maj 1979 dhe ka lidnur në Mashë të madhe të Krujës. Prej vitesh ai jetonte në qytetin italian të Bolonjës, ku dhe ishte martuar. Në dëshminë e tij dhënë në polici, por edhe nga verifikimet e efektivëve të rendit, mësohet se makina tip Mitsubishi me targa AA794 EU (ne foton poshte), në të cilën u gjet dhe u sekuestrua sasia prej 460 kg kanabis ishte në pronësi të një kushëriri të Bajramit.
Burime policore bëjnë me dije se 35 vjeçari Bajrami është shprehur gjatë deklaratës së tij se droga që ai kishte në makinë do transportohej me avion. Ai ka pranuar se kishte njohje që në Itali me pilotin italian, dhe ky i fundit kishte pranuar ta transportonte drogën kundrejt shifrës 27 mijë euro, shumë kjo që iu sekuestrua Bajramit, në momentin e arrestimit.
Ndërkohë mësohet se piloti i avionit të rrëzuar, Giorgio Riformato (ne foton poshte), nuk ka pranuar që të ketë lidhje me drogën e gjetur në makinën e bllokuar vetëm pak metra më tutje avionit të rrëzuar në rërë.
Gjatë marrjes në pyetje piloti italian mësohet të ketë thënë: “Nuk kam lidhje me drogën. Kam ardhur për turizëm në Shqipëri, por për shkak të pamjes së bukur vendosa që t’i bija nga pjesa e detit. Pata një avari në avion dhe m’u desh që të ndaloja aty në rërë, sepse m’u duk vend i përshtatshëm”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





