Durrës, 11 maj 2014 – Dy automjete janë përfshirë në një aksident rrugor në zonën e plazhit, rreth orës 17.45, në një kryqëzim te Rrota e Kuqe.
Përplasja mes dy automjeteve, njëri tip Smart dhe tjetri tip Benz, ka qenë ballore, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz.
Efektivët e policisë së qarkullimit dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të normalizuar trafikun. për shkak të aksidentit lëvizja e automjeteve në këtë aks është ngadalësuar dhe për pasojë janë krijuar rradhë në trafik.
Për shkak të ngrohjes së motit, aksi rrugor “Pavarësia” është mjaft i frekuentuar nga mijëra pushues nga qytete të ndryshme të vendit dhe nga Kosova.
Por pavarësisht rëndësisë që ka kjo rrugë, sidomos tani kur zona e plazhit nis të popullohet nga mijëra turistë, semaforët e vendosur vite më parë përgjatë këtij aksi janë tërësisht jashtë funksionit.
Edhe në kryqëzimin ku ndodhi aksidenti i sotëm ndodhet një semafor, por që nuk e kryen funksionin e tij prej kohësh. Nëse semaforët në këtë segment rrugor do të viheshin në punë, shumë prej aksidenteve rrugore, në disa raste tragjike, do të mund të evitoheshin.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





