Durrës, 11 maj 2014 – 3 shtëpi janë vjedhur në harkun kohor të 48 orëve të fundit në rrethin e Durrësit.

Burime policore bëjnë të ditur se hajdutët kanë plaçkitur 2 shtëpi në gjirin e Lalzit, nga ku kanë marrë orendi të shumta shtëpiake. Fakti që të zotët e shtëpisë nuk kanë qenë aty i ka ndihmuar hajdutët që të punonin me “qetësi” gjatë natës duke marrë me vete gjithë mallin e dëshiruar.

Ndërkohë në po gjirin e Lalzit ëhstë njoftuar vjedhja me thyerje e kabinës elektrike të zonës, ku janë marrë pjesët e bakrit të transformatorit të pompave të ujësjellësit, duke e lënë gjithë banorët pa ujë të pijshëm. Policia është duke hetuar nëse të treja këto vjedhje janë kryer nga po të njëjtën autorë apo jo, pasi të 3 këto vepra kriminale janë regjistruar natën e 9 majit.  

Një shtëpi tjetër është vjedhur në datë 9 maj, por këtë herë në fshatin Radë Shijak. Kryefamiljari P.H., 54 vjeç ka konstatuar vjedhjen me thyerje të banesës së tij. Hajdutët kanë marrë me vete 9 000 lekë, një kartë identiteti, një unazë dhe një varëse floriri.

Po në datë 09.05.2014, gjatë natës, në lagjen Nr 1 Durrës, persona të paidentifikuar kanë thyer xhamin e mjetit Benz me targa DR 5171 E në pronësi të shtetasit A.K., 59 vjeç, dhe kanë vjedhur në të navigatorin, portofolin me 25 000 leke dhe disa karta krediti. Policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj vjedhje.

Ndërkohë shënjestër e hajdutëve janë bërë edhe pasqyrat e dy automjeteve tip Benz në lagjen nr 6 Durrës. Dy shtetas, K.O., 35 vjeç dhe A.L., 64 vjec, të dy banues në Durrës kanë denoncuar në polici faktin se hajdutët u kanë vjedhur gjatë natës dy pasqyrat e automjeteve tip Benz. Edhe në këtë rast policia po punon për të identifikuar autorët.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/