Tiranë, 11 maj 2014  – Për Partinë Demokratike, ulja e avionit në Divjakë ka nxjerrë në dritë të vërtetën e trafikut të drogës. Hapat që opozita do të ndërmarrë pas ngjarjes së djeshme në Divjakë, u vendosën sot në mbledhjen urgjente të PD-së, të thirrur nga kryetari Lulzim Basha. 

Mbledhja me dyer të mbyllura ka nisur në orën 11:00 dhe ka zgjatur rreth 20 minuta, ndërsa të pranishëm kanë qenë deputetët, Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Gent Strazimiri dhe Jorida Tabaku. 

Në përfundim të mbledhjes, kryetari Basha tha se ngjarja e djeshme konfirmoi ato që opozita ka thënë prej kohësh. Sipas tij, “qeveria e Edi Ramës është rrëzuar moralisht”. 

“Ngjarja e djeshme ka tronditur dhe indinjuar thellë gjithë opinionin publik opozitën por dhe partnerët ndërkombëtare. Nuk është siç përpiqet të mashtrojë kryeministri një operacion policor. I madh e i vogël, shqiptarët tashme dinë se avioni ka pasur avari, nuk e kanë kapur këta avionin. Avioni u ka rënë në prehër, droga u ka mbetur në derë. Ky është një konfirmim i asaj që opozita ka thënë prej kohësh. Është një konfirmim i asaj që ka thënë PD dhe opozita edhe për ata qytetarë që nuk i kanë besuar këto akuza. Ka një indinjatë të natyrshme të qytetarëve shqiptarë. Ka një shqetësim të madh të mbarë opinionit publik”,– tha Basha. 

Sipas shefit të opozitës, “kjo situatë dramatike kërkon përgjigje të menjëhershme”. 

Burime nga PD-ja bënë të ditur se opozita po harton plan masash në parlament dhe jashtë dyerve të legjislativit. 

Mësohet se Partia Demokratike nuk kërkon vetëm dorëheqjen e ministrit Tahiri, por të gjithë qeverisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/