Divjakë, 11 maj 2014– Ditën e parë të plazhit për këtë sezon veror, pushuesit e paktë në Divjakë janë përballur me një skenar si në filmat aksion. Një aeroplan i vogël fluturoi mbi kokat e tyre dhe papritur ngeci në rërë. Disa metra më tej, një fuoristradë. Aludimi i dëshmitarëve për një trafik të mundshëm droge, ashtu sikurse për ditë me radhë kishte deklaruar opozita në media, u konfirmua shumë shpejt nga sirenat e policisë. Brenda harkut të 10 minutave, dhjetëra makina e forca policie rrethuan zonën. Përpjekja e drejtuesit të fuoristradës për t’u larguar dështoi, pasi ai ra në pranga. Më pas, për disa orë, zona u blindua. Askush nuk mundi të hynte dhe të dilte nga plazhi i Divjakës deri në orët e vona të pasdites. Lajmi në media bëri që banorët e zonës të nxitonin drejt vendit për të parë nga afër avionin. Edhe pushuesit u afruan sa mundën, madje pati edhe nga ata kuriozë që tentuan një “selfie” para kësaj ngjarjeje të rrallë. Një ndër dëshmitarët që pa avionin dje, është edhe punonjësi i një lokali në Divjakë. Rustem Dervishi rrëfeu se avioni kishte fluturuar shumë poshtë. Sipas tij, vinte nga drejtimi i veriut dhe, pasi mori kthesën, u ul e ngeci në rërë.
Ku ndodheshit kur e patë avionin?
Isha duke drekuar në lokalin ku punoj si mirëmbajtës dhe si roje. Lokali ndodhet shumë pranë ish-godinave të pushimit, që janë ndërtuar para viteve ‘90. Unë isha duke drekuar me disa miq të mi kur pamë avionin. Ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë, normalisht të gjithë plazhistët që ishin në këtë zonë, por edhe të gjithë klientët e lokalit.
Sa ishte me përafërsi ora?
Duhet të ketë qenë ora rreth 13:30 ose 14:00. Nuk mund ta them me saktësi këtë gjë. Papritur ne dëgjuam një zhurmë avioni mbi kokat tona. Fillimisht nuk dyshuam në asgjë, aq më tepër për këtë ngjarje, që mori përmasa të tilla vetëm pak minuta më pas.
Nga cili drejtim erdhi avioni? Po fluturonte ulët?
Së bashku me miqtë me të cilët ishim duke drekuar, dolëm nga veranda dhe pamë se avioni po vinte nga veriu. Kaloi rreth 10 metra mbi majat e pishave. Të paktën kështu na u duk neve.
/gazeta “Panorama”/





